DiasporaKorça TodayKorçarëtLajmeSpeciale

Korçarja që arriti të realizojë ëndrrën e dytë në tokën amerikane, tashmë pronare e dy salloneve

Një vajzë korçare e cila ka shkuar në Amerikë rreth 16 vite më parë, ka realizuar ëndrrën e saj të dytë në tokën amerikane.

Daniela Samara, për të dytën herë bëri realitet ëndrrën e saj, ka hapur sallonin e saj të dytë në Amerikë, me emrin “Cut for you” në 1809 Riverside Drive, Beloit, ku ofron shërbime me çmime të arsyeshme.

Sallonin e parë ajo e hapi në Janesville, në vitin 2015.
“Amerika është vendi i ëndrrave. Nëse ke ëndrra të mëdha, i bën realitet,” thotë Daniela, korçarja që shkoi në SHBA me llotari amerikane nga Shqipëria ku kishte kryer një kurs për parukeri.

Siç ka rrëfyer ajo vetë ndonëse kur shkeli në fillim në tokën e “ëndrrave” të shqiptarëve fliste pak anglisht, kolegët dhe pronarja e dyqanit e ndihmuan që të merrte liçencën.

Në fakt ajo flet me shumë emocion për mbështetjen dhe mundësitë që iu dhanë në SHBA, ndaj dhe i inkurajon të rinjtë që të shfrytëzojnë mundësitë që u jepen dhe që nuk do t’i kishin në asnjë vend tjetër të botës.
Gjatë më shumë se një dekade punë si parukiere ajo ëndërronte që një ditë të kishte biznesin e saj dhe të punonte për vete. “Unë i dua njerëzit dhe ndjehem shumë mirë mes tyre,” thotë ajo.

Korçarja ka arritur të punësojë mbi 8 stilistë flokësh duke qenë tashmë pronare e dy salloneve bukurie.

“Ka vazhdimisht kërkesë për sallone bukurie që ofrojnë gjithë gamën e shërbimeve me çmim të arsyeshëm dhe ku nuk ke nevojë të prenotosh paraprakisht,” thotë Daniela.
Klientët e saj kanë qenë shumë të kënaqur dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre duke folur mirë ku mundeshin për biznesin e Danielës. Ai në fakt eci kaq mirë sa që Daniela vendosi të hapte dhe një sallon të dytë në Beloit, nga dritarja e të cilit shihet matanë rrugës, pamja e mrekullueshme e lumit.

Daniela thotë që iu desh të transformonte ndërtesën e mëparshme të “Bumper to Bumper” (dyqan që merret me shitjen e pjesëve të këmbimit të automjeteve), duke shtruar dysheme të reja, tavane të reja, duke e lyer etj. Aktualisht, hapësira e sallonit të rinovuar është gati 2,063 sf, por Daniela ka në plan të rinovojë dhe dhoma të tjera aty, që të vendosë shtrate ku mund të nxihesh në mënyrë artificiale me rreze ultravjollcë.

Çmimi normal për një prerje flokësh është vetëm $12, ndërsa për festa salloni ofron prerje flokësh me çmim $7.

Daniela tha se stafin e zgjedh me kualifikimin e duhur për të rregulluar flokë si dhe me aftësi për të komunikuar sa më mirë me klientin.
“Vëmendja jonë është 100% e fokusuar se si t’i kënaqim njerëzit me cilësi shërbimi dhe çmime të arsyeshme. Bëjmë ç’është e mundur për t’ia bërë qejfin klientit. Motoja jonë është ‘shërbimi më i mirë me çmimin më të lirë.’”
Korçarja dhe bashkëshorti i saj Paul-i, jetojnë në Janesville dhe kanë dy vajza Patrician 16 vjeç dhe Vjolën 11. Bashkëshorti i Danielës ka punuar llogaritar dhe tani i është rikthyer studimeve për t’u bërë mësues matematike.

korca today

Portal informativ online i rrethit të Korcë's

Artikuj të ngjashëm

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button
Close
Close